| LETER NENES |
|
|
|
|
LETER NENES ________________________________________ Si ia shpie moj nënokja ime? Mirë jam dhe unë. - Të përshëndes! Në atë izbën tënde paç bekime Mbrëmjeve kur muzgu zë të zbresë. Po më thonë se fort je merakosur, Bëhesh vrere për fatin tim të nxirë, Del e sheh tej rrugës së pasosur, Mbledhur shuk me shallin cop' e grirë. Dhe kur bie mbrëmja rreth e qark, Një vegim i shkretë të shtika frikën: Se në një mejhane diku larg Vjen një horr edhe më ngulka thikën. S'ngjet asgjë, nënoke! - Mbaje shpirtin: Është veç një makth që po të shtar. Aq i lig nuk jam sa ç'dërdëllisin Dhe s'do vdes me sy pa të parë. Foshnjarak kam mbetur si dikur, Me një ëndërr që gjithnjë më grish. Jetandrallash mos mu shpiftë kurrë; Veç në atë shtëpi të jem sërish! Do të kthehem kur do gjethen degët, Kur të harlise kopshti në blerim; Veç nga gjumi mos më ngri kaq herët, - Si tetë vjet më parë në agim. Mos e zgjo atë që iu shpurritën Ëndrrat e një moshe patravajë. Ti s'e di sa jetën ma sfilitën Vuajtjet, që s'gjej dot prehje në asnjë skaj. As të falem, - më ti mos më cit, Siç ma bëje shumë vjet më parë. Vetëm ti çdo dhimbje ma fashit, Vetëm ti je gazi im i rrallë! S'ka pse bëhesh njësh ti me trishtimin, As të të hajë brenga e nxirë. S'ka pse del e rrugës humb vështrimin, Mbledhur shuk, me shallin cop' e grirë. |









